Fshati Broje

Në një largësi prej 12 km, në jug të fshatit të Tamares, në 200-850 m lartësi gjendet fshati Broje.

Relievi i copëtuar dhe vende-vende i pjerrët dhe i zhveshur i ka dhënë Brojes pamjen e një kalaje të mbrojtur me mure të paarritshëm. Klima është e ftohtë, bora dhe akulli janë dukuri e zakonshme. Fshati ka florë dhe faunë të pasur, mbizotërojnë pyjet e ahut. Burimet e ujit, të ndihmuar dhe nga terreni gëlqeror kanë krijuar shumë shpella të bukura. Përveç mundësive për ecje malore, eksplorim shpellash, në këtë fshat mund të njiheni me kulturën, jetën e thjeshtë të një fshati blegtoral, arkitekturën e veçantë të shtëpive e shumë e shumë të tjera…

Mendohet se emrin ky fshat e ka marrë nga relievi me maja të larta, që i qëndrojnë si një mburojë. Ai ka pamjen e një ballkoni të bukur natyror nga ku shihen luginat e lumit Cem. Veçori e relievit të tij është copëtimi i çrregullt. Këtu gjenden disa shkёmbinj me forma tё veçanta pak a shumё tё ngjashme me ato tё Selcёs. Në këtë fshat dominojnë pyjet e ahut dhe dushqeve. Drurët shoqërohen me dëllinja, aguliçe, bliri, kamamili, lajthitë, sanza, shegët e egra, shërbela etj. Kjo bimësi rrit shumë kafshë të egra ku pёrmendet: dhia e egёr, kaprolli, ariu etj.

Nga Broja nëpërmjet Qafës së Kapës është e mundur të kalohet në Shkrel, një tjetër komunë me shumë atraksione interesante turistike.

Pёr shkak tё terrenit gёlqeror të këtij fshati, rrjeti ujor ёshtё i kufizuar. Disa nga burimet ujore mё tё qёndrueshme janё: kroni i krenave, gurra e shkjaut etj. Ujrat nёntokёsor kanё formuar shumё shpella karstike si: Shpella e thellё, Shpella e Borёs etj.

Grabomi është pjesa e fshatit Broje, që ndesh sapo hyn në Kelmend. Afër rrugës ndodhet një shpellë, e cila quhet shpella e Zojës, e cila vizitohet nga besimtarët e zonës çdo muaj Maj, që është muaji i Zojës. Grabomi përshkohet nga lumi Cem, ku në pjesën e këtij fshati lumi është i pasur me troftë, më shumë se në çdo fshat tjetër. Një tjetër e veçantë në këtë lum është një vend i quajtur e Verbta, ku uji del nga shkëmbi. Njerëz të ndryshëm janë munduar t’i shkojnë në fund kësaj vrime por deri tani kjo nuk është arritur nga askush.

Në Grabom ndodhen dhe disa shpella. Shpella e Çafkave është 50 m e thellë. Shpella e Ujit në Rahovicë, ka aq sasi të madhe uji, sa thuhet se i janë mbytur bagëtitë e një banori në të. Shpella e Ujit, është një shpellë e cila njihet për ujë shumë të mirë. Në këtë shpellë banorët e këtij fshati marrin ujin për shtëpitë e tyre. Kjo shpellë është shumë e thellë, thonë se banorët kanë provuar t’i shkojnë në fund, por nuk kanë arritur. Në fillim në këtë shpellë duhet të hyhet pothuajse i shtrirë, por më në brendësi vjen e zgjerohet ku krejt lehtësisht mund te ecet dhe në këmbë.

Festa e këtij fshati është Zoja Ndihmëtare e cila festohet me datë 24 Maj. Gjithë popullsia e këtij fshati vjen nga fshati Vukël, gjë e cila bën të festojnë të njëjtën festë. Si në çdo fshat tjetër edhe këtu festa është me miq që në darkën e datës 23 ku nuk mungon mishi i pjekur, vera dhe të festuarit me këngë e valle, ku mbizotërojnë tingujt e bukur të çiftelisë. Kjo atmosferë vazhdon deri në orët e para të mëngjesit, gjë e cila bën që miqtë të largohen të kënaqur nga pritja që dinë t’a bëjnë vetëm banorët e kësaj zone.

Të veçanta në këtë fshat janë banesat karakteristike tё tipit “kullё”, të cilat takohen vetëm në këtë fshat.

Në fshat do të gjeni Bar – Kafe të vogla dhe dyqane rishitjesh produktesh ushqimore.