Fshati Kozhnje

Ky fshat gjendet rreth 550 m mbi nivelin e detit, vetëm 6 km larg qendrës së komunës Kelmend, fshatit Tamare.

Rruga për në Kozhnje fillon me ngushtimin e grykës së lumit Cem të Vuklit. Aty ku lumi rrjedh me rrëmbim nga një gurë në tjetrin, ngrihet thikshëm peisazhi alpin i fshatit Kozhnje. Ky është një fshat blegtoral i pasur me kullota. Zbulimet arkeologjike në shpella dëshmojnë për një banim të hershëm parahistorik të këtij fshati. Kozhnja është një fshat me kulturë dhe traditë të ruajtur brez pas brezi.

Kozhnja është një fshat ku blegtoria ka një rëndësi të veçantë. Dhia e Kozhnjes është e përmendur në Kelmend e më gjerë. Nga Koza (dhi) mendohet të jetë origjina e emrit të këtij fshati. Kozhnja ka mjaft kullota me bimësi të shumëllojshme. Bimësia përbëhet nga dushqet, pishat dhe halorët. Bimët mjekësore që gjenden këtu janë: shërbela, teukla si dhe bliri. Ky mjedis i pasur bimor ka krijuar kushtet për zhvillimin e një faune të pasur. Kozhnja njihet për gjueti kryesisht të dhive të egra, lepujve, derrave të egër etj.

Kudo në këtë fshat malet janë shumë të thepisura dhe vende – vende gati vertikale.

Kozhnja ndahet në dy pjesë: Kozhnja e thellë dhe Kozhnja breg. Këtu dy lagje dallojnë shumë për nga relievi.

Kur gjendesh në Kozhnje të thellë të duket se je në një gropë të thellë e rrethuar me mure shkëmbore të fuqishme. Në Kozhnje ka shumë shpella karstike, disa të eksploruara dhe disa jo. Shpella e Lule Gjokёs dhe shpella e Fratit, janë shpella me vlera arkeologjike. Zbulimet arkeologjike në këto shpella dëshmojnë për një banim të hershëm të këtij fshati. Shpella me vlera speleologjike janё: shpella e Shnikut dhe e Stёrnikut. Objekte tё rёndёsishme hidrologjike janё: Pёrroi i Kozhnjes me ujё qё nuk thahet kurrё, kroi i Mulajve etj.

Kozhnja si shumica e fshatrave të Kelmendit feston festën e Zojës Ndihmëtare me datë 24 Maj. Megjithëse në këtë fshat popullsia është e pakët prapë se prapë festa ka madhështinë dhe vlerën e vet të pakrahasueshme si në çdo fshat tjetër të kësaj zone.

Në fshat do të gjeni Bar – Kafe të vogla dhe dyqane rishitjesh produktesh ushqimore.