Fshati Nikç

Në një largësi 15 km në lindje të fshatit Tamare, rrёzё bllokut tё Shenikut rreth 600 – 850 m mbi nivelin e detit gjendet Nikçi, një fshat i vogël i komunës Kelmend.

Në këtë fshat natyra nuk është treguar kursimtare në ofrimin e bukurive të saj. Këtu do të gjeni shpella të bukura, burime që shpërthejnë në mes shkëmbinjëve, ujvara, peisazhe të bukura alpine etj. Do të deheni me aromën e luleve tek shëtisni ditëve pranverore. Ky fshat është si një ballkon. Nga majat e maleve të këtij fshati shihet “zemra” e Alpeve Shqiptare. Syri të kap pamje të bukura të majave të larta, blloqe vigane shkëmbore, liqene, bjeshkë e kullota të bukura alpine.

Nga Nikçi me ndihmën e guidave vendase mund të kaloni në fshatrat turistike të Bogës, Thethit e Valbonës.

Ashtu si disa fshatra të tjera të Kelmendit, mendohet se emri i fshatit ka ardhë nga banori i parë me emrin Nili.

Nikçi është një fshat i vogël i komunës Kelmend, i rrethuar nga male të larta. Në periudhën e vegjetacionit i gjithë fshati gjallërohet dhe merr aromë të këndshme nga lulet e shërbelës, trumzës etj. Në këtë fshat ndodhet një pemë bliri shekullore. Kur çel ky bli, aroma e luleve të tij ndihet në gjithë fshatin. Këtu rriten bimë mjekësore si: sanza, lulet aguliçe, çaj i verdhë dhe rigon i kuq, të cilat ashtu si në fshatrat e tjera përbëjnë një burim të ardhurash për banorët e këtij fshati. Në Nikç ka shumë burime të pashterrshme me ujë të ftohtë. Ndër më të njohurat janë gurra e Musovatit, gurra e Komanit, Ledit, Jezercёs etj. Ujrat kanё formuar shpella tё bukura karstike si: Skurra e Gjaçkёs, Shpella e Madhe, Shpella e Mrikelёs etj. Objekte të tjera interesante natyrore, qё gjenden nё kёtё fshat, janё puset karstike, ujvara e Vizhnёs si dhe Forca e Kelmendit, monument natyre si dhe vend me rëndësi historike. Pas Forcës së Kelmendit shpalosen majat e Bjeshkëve të Namuna. Atje mund të qëndrosh njëkohësisht në tetë pika kryesore: në Dobraçe, në Livadh të Bogës, në Surtë, në Koprrisht të Ujk Carës, në Gropë të Bukur, në She të Bardhë, në Runicë dhe në Jezercë. Kudo sheh kulme majash si të gdhendura, vatra bore pranë kreshtave të dhëmbëzuara, blloqe vigane shkëmbore, liqene e florë të larmishme. Nga këtu nëpërmjet shtigjeve ose rrugëve të kafshëve mund të shkohet në fshatin Bogë, Theth e Valbonë.

Përveç bukurive natyrore shumë interesante janë dhe objektet e ndërtuara nga dora e njeriut. Banesat për shembull janё tё ndёrtuara pranё njёra – tjetrёs, dy katёshe prej guri me ballkon dhe çati tё pjerrёt alpine. Pranë ujrave të lumit Cem janë ndërtuar mullinjt e blojës, të cilat bluajnë grurin, misrin ose elbin, njësoj si më parë, sikur koha për to të kishte ndaluar.

Festa që festohet në këte fshat është Zoja Ndihmëtare në datë 24 Maj. Ngaqë fshati Nikç është një fshat i vogël këtu mblidhen shumë pak njerëz, por pavarësisht kësaj përsëri festa ka përmasat e duhura si në çdo fshat tjetër, ku nuk mungojnë miqtë dhe pritja e pakrahasueshme.

Në fshat do të gjeni Bar – Kafe të vogla dhe dyqane rishitjesh produktesh ushqimore.