Historia dhe Kultura

Kelmendi dhe Shkreli kanë origjinë mjaft të hershme: gjetjet arkeologjike në territore të ndryshme të zonës dhe në shpellat e fshatrave Selcë dhe Vukël, në Kelmend, dhe ato të gjetura në fshatrat Dedaj, Zagorë, Lohe e Bzhetë, në Shkrel, dëshmojnë se të dyja zonat kanë qenë të banuara, respektivisht, në periudhën e neolitit dhe në atë të bronxit të hershëm.

Ka mendime të ndryshme në lidhje më origjinën nga rrjedh emri Kelmend: nga latinishtja Clemens-tis që do të thotë i urtë, i thjeshtë, i mirë ose nga emri i Papë Klementit (vitet 90-101), zëvendësi i tretë i Shën Pjetrit.

Fisi i Shkrelit dhe shkrelasit thonë se kanë ardhur si blegtorë nomadë prej viseve të epërme të Ballkanit, çka do të thotë nga territoret e Bosnjes së sotme dhe nga krahina e Sanxhakut të Novi Pazarit, ku jetonte fisi ilir i Dalmatëve. Me ardhjen e sllavëve në këto vise, rreth shek XII e.s., popullata autoktone u detyrua të shpërngulet drejt tokave të tjera ilire.