Artizanati

Kelmendasit dhe Shkrelasit janë mjeshtra të punimit të gurit dhe të drurit. Kjo duket në ndërtimet e shtëpive, në gdhendjet e dyerve dhe dritareve, në punimet e imta me dru si djepa, krevate, rafte, në ndërtimin e mullinjve të blojës, në punimin e veglave muzikore me dekor të bukur tradicional dhe suvenireve të ndryshme, ku risjellin bukurinё natyrore, njerëzore, historike e fetare tё vendit.

Tradita e përpunimit të leshit mban krijime të vërteta të artit popullor në veshjet tradicionale, xhubleta, çakshire, në qilima, sixhade etj.

Artizanë vendas

Astrit Mitaj është një talent i ri, që fillimisht i është përkushtuar gdhendjes së gurit dhe drurit, por që ka eksperimentuar edhe në pikturë. Që në fëmijëri është shfaqur dhuntia e tij për artin. Në fakt, që në moshën 13 vjeçare, ka realizuar punimet e tij të para në dru mani dhe paje, punime që përfaqësojnë simbole, gojëdhëna, legjenda dhe vegla muzikore të veriut.

Një nga punimet më të bukura është një shatërvan i ndërtuar me gurë të lumit Cem.

Punishtja e tij ndodhet në fshatin Selcë të komunës Kelmend, rreth 500 metra në të djathtë të rrugës kryesore Shkodër – Vermosh.

Kontakt:

Mob. +355694661003

E-mail: lini.87@hotmail.com

 

Pjetёr Vukaj është një ndër gdhendësit e drurit në Kelmend. Në moshë të vogël shfaqi pasionin e tij për vizatimin. Trungjet e pemëve u bënë fletët e tij të para dhe thika u bë lapsi i tij.

Në moshën 20 vjeçare, Pjetri realizoi punimin e tij të parë të gdhendur në dru arre, një portret të Skënderbeut me lahutë. Më pas erdhën shumë të tjera.

Punimet e tij frymëzohen më së shumti nga bukuria femërore, por edhe nga figura fetare dhe historike, nga kultura dhe nga natyra e bukur e Alpeve shqiptare.

Punimi më i njohur dhe i veçantë i Pjetrit është gdhendja e Jezusit në trungun e një peme, e cila ndodhet në oborrin e Kishës së Selcës, në Kelmend.

“Frymëzohem duke shëtitur nëpër malet e Selcës, mbledh copa druri, që për një njeri të zakonshëm janë thjesht degë peme apo trungje pa ndonjë vlerë. Por unë arrij të shoh përtej asaj që duket, në to arrij të shoh veprat e mia, që me anë të daltës bëhen të dukshme edhe për të tjerët” – thotë Pjetri.

Kontakt:

Mob. +355 692328030