Kostumet Tradicionale

Në Malësinë e Madhe veshjet tradicionale janë “Xhubleta” për femra dhe “Çakshiret” për meshkuj.

Veshja me xhubletë ka marrë emrin nga një fund i gjatë me rripa prej shajaku të zinj në formën e këmbanës të valëzuar në fund. Nga koka e deri tek këmbët kjo veshje ka disa element shumë të bukur e të veçantë të cilat plotësojnë “mozaikun” e një veshje madhështore. Origjina e hershme e kësaj veshje është nga brigjet e mesdheut, qytetërimet egjyptiane , asire etj, shek i IV p.e.s. Shekuj me rradhë tradita është ruajtur dhe e gjejmë sot në Alpet e Shqipërisë. Në këtë veshje gjenden jo vetëm gjenet e një veshje të hershme por gjithashtu dhe shpirti artistik e simbolik i malësorëve. Femra malësore rritej më xhubletë, bëhej nuse me të dhe varrosej e veshur me xhubletë. Xhubleta e vajzave ishte më e thjeshtë pa zbukurime dhe e punuar me shirita të zinj dhe të bardhë. Xhubleta me e zbukuruar, më e kushtueshme dhe plot ngjyra ishte ajo e nuses, të cilën vajza e vishte kur martohej. Xhubleta e nuses punohet nga tirqe të thurura me dorë nga vetë gratë dhe vajzat e zonës, të ngjeshura fort në vajanicë dhe të punuara me vekë.

Çakshiret mbaheshin nga burrat. Ato janë pantallona të ngushta shajaku me ngjyrë të bardhë që zbukurohen anash me spik të zi, ka një këmishë me jakë pa cepa dhe pak e qëndisur ku sipër tij vishet jeleku i zbukuruar anash. Në kokë vendosin qeleshe të bardha. Çakshiret punohen me tirqe.

Këto veshje prodhoheshin në ambjentet familjare ku si lëndë e parë ishte leshi i deleve i cili ngjyrosej me bimë dhe punohej me një teknikë që është një art më vete.

Në shtëpitë e malësorëve mungonin komoditet dhe luksi por jo luksi i veshjes tradicionale. Stolisja e veshjeve përbënte një lloj ligjësie të përgjithshme estetike pavarësisht gjendjes ekonomike. Një sakrificë e tillë ekonomike konsiderohej normë tradicionale, zakon e detyrim shpirtëror i cili ishte dhe shenjë treguese e krenarisë së të kaluarës së lavdishme.