Tradite & Folklor

Në fshatrat e Shkrelit dhe Kelmendit mbijetojnë ende sot kodet zakonore, Kanunet, që përkrah ligjit të Shtetit rregullojnë jetën e përditshme të familjeve. Falë edhe këtyre kodeve, shumë tradita dhe zakone të zonës janë ruajtur, dhe përfaqësojnë një prej aspekteve më tërheqës të këtyre komuniteteve.

Fshatrat, kryesisht blegtoralë, paraqesin një marrëdhënie të ngushtë me malin: fenomeni i zhvendosjes së tufave nga fushat në stane është pjesë thelbësore e ekonomisë së zonës dhe e ritmeve sociale të familjeve.

Mikpritja është një nga vlerat kryesore të shqiptarëve dhe pritja që i bëhet edhe turistëve është jashtëzakonisht e ngrohtë dhe mbresëlënëse. Ardhja e një miku në këto vende, ende sot, është një rast i shenjtë: sipas Kanunit, “shtëpia e një shqiptari është e Zotit dhe e mikut”.

Martesat, funeralet, lindjet dhe festat fetare vazhdojnë edhe sot të përjetohen gjerësisht në fshatra, me një pjesëmarrje të madhe nga i gjithë komuniteti. Ngjarje të tilla shoqërohen me muzikë e këngë karakteristike, gatime me prodhime vendase, veshje tradicionale e vallëzime.

Këngët e vallet shoqërohen gjithnjë me vegla tradicionale akustike, të punuara në mënyrë artizanale, vegla të vogla e të lehta që i shkojnë për shtat jetës së bariut: çiftelia, lahuta dhe fyelli.

Veshjet tradicionale mbajnë mbi vete 4000 vjet histori, trashëgohen nga njëri brez tek tjetri dhe vishen ende sot gjatë momenteve më të rëndësishme. Veshja femërore quhet Xhubletë dhe është një veshje në formë këmbane, e bërë me rripa shajaku të zi, e qëndisur imtësisht me ar e argjend. Veshja mashkullore quhet Çakshir, është e bardhë, e ngushtë dhe elegante, e qëndisur në anët e saj me spik të zi. Mbi rripin me ngjyrë burri mbante gjithmonë koburen e tij të zbukuruar me serm.

Tradita kulinare është e thjeshtë, por shumë e ndjerë. Prodhimet e natyrës (mishrat, djathrat, rakia, etj.) i shërbehen mikut në sasi të bollshme me synimin për ta nderuar e respektuar.