Gjuha

Banorët e Kelmendit dhe Shkrelit flasin në dialektin gegë. Termi “Gegë” tregon në përgjithësi dialektet e Veriut të Shqipërisë, që së bashku me dialektet e Jugut (Toskë) formojnë pasqyrën gjuhësore të Shqipërisë. Kufiri natyror që i ndan në vija të përgjithshme këto dialekte, është lumi i Shkumbinit, që kalon nëpër Elbasan, në Shqipërinë e Mesme. Dy dialektet kanë ndryshime fonetike dhe leksikore, por folësit kuptohen pa vështirësi njëri me tjetrin.

Gegërishtja nuk është një dialekt homogjen dhe çdo zonë ka ndryshuar dhe pasuruar fjalorin me terma tipikë të vendit duke ndjekur ndikimet e ndryshme historike (latine, serbe, turke, etj.).

Pavarësisht se shqipja është një nga gjuhët më të vjetra të Ballkanit, me origjinë ilire, ajo është dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin e XV. Libri i parë i shtypur në shqip është “Meshari” i Gjon Buzukut (1555), i shkruar në gegërisht.