Kenget

Peisazhi alpin në dukje i ashpër, i ftohtë i egër me male te larta e të thepisura fsheh një simfoni të sajën krejt të veçantë të cilin duhet të jesh atje për ta ndjerë e shijuar. Era tek fershëllen në gryka e male, degët e gjethet e pemëve që dridhen si tela violine nën korin e zogjëve janë melodi që bashkëshoqërojnë jetën e banorëve të Kelmendit dhe Shkrelit. Pikërisht në shtratin e këtij sfondi është rritur shpirti artistik i njerëzve. Kënga është bërë pjesë e pa ndarë në jetën e tyre. Me këngët e djepit malësorët vënë fëmijën në gjumë, i këndojnë dashurisë, këndojnë në dasma dhe me këngë vaji përcjellin për në banesën e fundit njerëzit e tyre të dashur. Me këngët e kreshnikëve shkuan në luftë, përshkruan ngjarjet luftarake. Kënga është ajo që i rriti dhe i burrëroi malësorët.

Këngët e djepit, ninullat ose nina-nanat janë këngë të shkurtëra, me të cilat nëna vë në gjumë feminjën. Ato janë monologje intime poetike, ku prindërit shprehin dëshirat e tyre për fëmijët që janë të lidhura me urtësinë, dashurinë, trimërinë, shëndetin, jetën e gjatë etj. Zakonisht këto këngë fillojnë me fjalët: “nani-nani djalin/vajzën” ose “nina-nana”. Nëna e krahason vajzën me gonxhen e trëndafilit, me lulen e shegës, me mollën kurse djalin me pëllumbin, yllin. Shume i bukur është personifikimi i gjumit të cilin nëna e paraqet is pëllumb që vjen dhe e merr fëmijën në krahët e tij.

Këngët e dasmës janë mjaft të larmishme dhe u këndojnë bukurisë së çiftit. Bashkë me to këndohen edhe këngë të tjera dashurie, trimërie etj. Këngët e dashurisë kanë lirikë të pasur e të bukur erotike. i këndohet dashurisë së dlirë e të sinqertë të djalit e të vajzës, elegancës dhe bukurisë së vajzave.

Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) është një epos legjendar i përbërë nga këngë të ndryshme epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë. Ky epos, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare në përgjithësi, kryesisht për mesazhin e madh që sjell – rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit, si dhe për vlerat e larta artistike. Shpesh këngët marrin karakter fantastik, ku dalin besime e zakone të lashta dhe bëma me forca mbinjerëzore, të mbrojtura nga qëniet mitologjike.

Është mjaft e thellë bindja e malësoreve se “Këngët e kreshnikëve e burrërojnë njërin, e bëjnë trim, i japin zemër të durojë plumbin, gjakun luftërat”. Këto këngë janë kënduar tradicionalisht e janë dëgjuar me kënaqësi e nderim të veçante në kuvendet e gjera popullore, në dasma e festa të tjera apo pranë oxhakut të kullave karakteristike malësore netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit të një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës. Ja pse shtëpia pa lahutë, shtëpia ku s’këndoheshin këngë kreshnikesh, konsiderohej si “shtepi e lanun”, që nuk meriton respekt.