Mitet dhe Legjendat

Lulja Bojësoleke (narcissus)

Lulja bojësoleke, është një lule e cila lulëzon në bjeshkët e Kelmendit. Për të përshkruar bukurinë e saj, banorët e Kelmendit kanë një legjendë.
Zoti u thotë një ditë bletëve që t’i sillnin atij nga një lule nga lulet më të bukura që ai kishte krijuar dhe që bletët merrnin nektar tek to.
Bletët i mblodhën lulet gjithandej dhe ia dërguan Zotit, por një lule e cila ishte më e bukura, lulja bojësoleke, e mbajtën për vete. Atëherë Zoti u tha bletëve: “Lulet që më sollët mua, ju qofshin falë, atë që nuk më sollët e keni të ndaluar të shijoni nektarin e saj”.

Uji i kuq

Në Vermosh ndodhet një burim që quhet Uji i Kuq. Në kohën kur në Kelmend po vendoseshin kufijtë, Mali i Zi kërkonte të merrte atë pjesë të Vermoshit ku ndodhej dhe ky burim. Gjatë bisedimeve që po bënin krerët e Malit të Zi me krerët shqiptarë, ku ndër ta ishte edhe Prekë Cali, malazezët pretendonin që ky vend ishte i tyre dhe donin ta merrnin. Prekë Cali u thotë që ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe dhe nga vetë fjala është pjesë e Shqipërisë. Malazezët nuk e pranonin këtë, ata thonin se vendi quhet Bjeshkët e Kuçit dhe se u përkiste atyre. Atëherë Prekë Cali u thotë: “Ky vend quhet Bjeshkët e Kuqe sepse këtu rrjedh ujë i kuq”. Atëherë malazezët meqenëse u dukej e pabesueshme thanë: “Në qoftë se kjo është e vërtetë, kufijtë do vendosen si të thuash ti. Të gjithë bashkë shkuan tek burimi dhe panë që me të vërtetë buronte ujë i kuq. Kështu që kufijtë u vendosën siç kërkoi Prekë Cali. Dhe sot e kësaj dite në Vermosh ekziston ky burim ku rrjedh ujë i kuq.

Ujëvara e Sllapit

Në Kelmend është një vend që quhet Selcë. Në atë vend ndodhet një ujëvarë që quhet ujëvara e Sllapit, që buron nga liqeni i Rikavecit, i cili ndodhet në Mal të Zi. Kjo ujëvarë ka dhe një legjendë.
Një familje e varfër nga Selca dërgon djalin shërbëtor tek një familje e pasur në Mal të Zi, ku djali fillon punë si bari delesh. Djali, pasi e dinte se familja e tij s’kishin asnjë të ardhur, mendoi t’i ndihmonte në këtë mënyrë: Për çdo festë ai merrte nga një dele dhe e hidhte në liqenin e Malit të Zi dhe delja vinte direkt e tek ujëvara e Sllapit, të cilën e prisnin familjarët e djalit në Selcë. Kështu bëri ai për disa vite derisa një ditë pronarët e diktuan çfarë bënte. Në festën e rradhës, pronarët e morën djalin, e mbytën dhe e hodhën në liqen. Familjarët si gjithmonë kishin dalë të prisnin delen, por kësaj rradhe në vend të deles ju erdhi djali i vdekur.

Nora e Kelmendit

Kelmendi njihet për luftime dhe bëma të mëdha nga trima dhe trimëresha, ndër to bën pjesë edhe Nora. Një malsore, të cilës Zoti përveç bukurisë i kishte falë dhe trimërinë e zgjuarsinë.
Në kohën e sundimit turk, Kelmendi ka luftuar për të mbrojtur trojet, por varfëria dhe i ftohti bënin të vetën.
Një ditë hapet fjala se kushdo që në ato ditë do të dorëzohej, qoftë burrë apo grua, do të falej dhe do të dëmshpërblehej për dëmet e shkaktuara nga lufta. Por si kusht për këtë marrëveshje kelmendasit do t’i çonin Vuçi Pashës vajzën më të bukur të kësaj zone.
Në mbledhje për të vendosur se si do t’i përgjigjen Pashës ngrihet Nora dhe thotë: “Vllazën dhe motra unë nuk e mbaj veten për më të bukurën e këtyre maleve por jam e gatshme që unë të shkoj tek Vuçi Pasha dhe të kuvendoj me të ashtu siç ai ka kërkuar. Dijeni se unë nuk e di se çfarë fati kam, por u betohem për këtë qiell e për këtë tokë se e virgjër po shkoj dhe e tillë do të kthehem”.
Ditën që ajo vendos të bëhet gati të shkojë tek pashai zgjedh veshjen më të bukur që kishte gjithashtu edhe stolitë. Gjithashtu nuk harron që në brez të marrë me vete një thikë të hollë e të gjatë.
Kur shkon tek kampi turk ajo flet me rojën dhe i thotë që ka ardhur të takojë Pashain për marrëveshjen. Pasha e pret me shumë kënaqësi dhe turbullohet nga bukuria e Norës. Fillojnë bisedimet për marrëveshjen dhe Pasha do që të bindë Norën për dorëzim…. Nora e kupton kur është çasti për t’i ngulur thikën drejt e në zemër Pashës.
Pasha as mundi që të pëshpëriste më. Nora shpejt e shpejt pa u vënë re largohet nga kampi turk dhe nxiton që të shkojë dhe t’u japë lajmin e mirë kelmendasve, që Pashai s’është më. Ka kaluar shumë kohë por Nora dhe trimëria e zgjuarsia e saj nuk janë harruar.

Tamara

Gjatë shekujve të kaluar, Kelmendin e përshkonte një rrugë kafshësh që vinte nga Shkodra e Podgorica dhe kalonte në Guci e Pejë.
Si stacion i rëndësishëm për udhëtarët, në një fshat që sot quhet Tamara, ishte një han dhe një urë e pasigurt mbi lum. Ura shkatërrohej shpeshherë nga ujrat e rrëmbyeshëm, saqë Tamara e shoqja e Vezirit të Shkodrës për disa ditë nuk mundi të kalonte për të shkuar në Shkodër, kur po kthehej nga vizita e njerëzve të saj, në Mal të Zi. Për këtë, Veziri i Shkodrës dha një fond që të ndërtohej një urë e re mbi lumin Cem të Vuklit. Kjo urë mori emrin e Tamarës, gruas së Vezirit të Shkodrës, dhe po këtë emër mori edhe fshati.