Vallëzimi popullor

Me valle malësorët shprehin gëzimet e hidhërimet e jetës. Vallet popullore përbëhen nga valle epike luftarake e trimërie, valle lirike erotike, të dasmës, valle pantonime, vallet e tepsisë, si dhe elementet plastiko-koreografike të ritualit të gjamës, ku dy të fundit hedhin dritë mbi lashtësinë e folklorit në këto treva. Llojet kryesore të vallëzimi popullor janë: Kërcimi i logut, Vallet e kënduara, Premja me shpata. Në repertorin e valleve bëjnë pjesë dhe vallë me pantonime si “Lojë kapuçash”, “Plaku i dasmës”. Këto vallë karakterizohen nga humori, argëtimi, lojrat dhe zbavitja.

“Kërcimi i logut”

Kjo valle si fillim është bërë tek “Logu i Kishës” por me kalimin e kohës kaloi si valle artistike që në krahinën e Kelmendit hap çdo “Log Bjeshke”.

Kjo valle kërcehet nga një djalë dhe një vajzë. Bën pjesën në vallet lirike dhe të dashurisë. E veçanta është që kërcehet pa shoqërim muzikor. Kjo gjë nuk ia ul vlerën kësaj valleje pasi kërcimi mban një ritëm të brendshëm që e mban të gjallë dhe gjithnjë tërheqës.

Në fillim të valles del një vajzë që me ritmin, figurat, gjestet dhe pantonimën e saj duket sikur u tregon të tjerëve bukurinë e vet dhe përpiqet të joshë ndonjë vallëtar të ri. Shamia e dorës tek ajo ka një funksion të veçantë, ato rrisin larminë e lëvizjeve dhe figurave të saj. Pa vonuar shumë mënjëherë pas vajzës del në log një djalë i ri. Kur vajza mban shaminë me të dy duart dhe i lëviz lirshëm e plot gaz , djali e kupton joshjen nga ana e vajzës dhe nis ti afrohet. Këtë e bën 2 ose tre herë gjatë logut. Atëherë të dy bashkohën në mes të logut dhe piqen tre herë me kokë dhe kështu vallja merr fund.

“Vallet e kënduara”
janë valle masive që praktikohen dhe në dasma, shoqërohen me këngë dhe përshkohen nga një frymë gazmore e optimiste.
Këto valle vallëzohen bashkarisht nga burra dhe gra. Veçori e interpretimit të këtyre vallëve është se në të njëjtën kohë pjesëmarrësit këndojnë dhe vallëzojnë. Nisur nga qëndrimi i pjesëmarrësve në valle, këto valle i ndajmë në valle në rreth të mbyllur, valle në gjysmërreth dhe të ekzekutuara në vend.

“Premja me shpata”
(Premja me tagana) ky lloj kërcimi bën pjesë në grupin e valleve të quajtura “vallet luftarake”. Ato nuk shoqërohen me muzikë. Vallëtarët kanë në duar mjetin luftarak, shpatën. Kjo lloj valleje mishëron copëza të jetës së popullit të Malësisë së Madhe. Në bazë të rregullave kanunore, kur dy veta ziheshin i kërkonin njëri tjetrit të dilnin në shesh (mejdan). Gjatë dyluftimeve ka patur dhe pajtime gjaqesh në forma të ndryshme. Në një variant pajtimi i gjaqeve bëhej me ndërmjetësimin e një gruaje të martuar e cila duhej të ishte nga një fis tjetër dhe jo nga dy fiset ndërluftuese. Ajo zakonisht mbante në duar një djep me një fëmijë me të vogël se dy vjeç. Në të shumtën e rasteve dyluftimi ndërpritej dhe kundërshtarët kryqëzonin shpata dhe i ulnin mbi djep në shenjë vllazërimi. Pikërisht këto pjesë jetë luhen nga valltarët në këtë lloj valleje.

“Vallja e brezave”

Kjo valle, siç e tregon dhe vetë emrin dëshmon sesi trashëgimia kulturore tejçohet nga një brez në tjetrin. Në vallë paraqiten tre çifte të moshave të ndryshme. Çifti i parë është pak i thyer në moshë, çifti i dytë është më i ri dhe çifti i tretë janë të rinj. Kjo valle shoqërohet me çifteli. Vallja ka një koreografi shumë të bukur dhe gjallëruese. Si fillim në log del çifti më i moshuar dhe më pas dalin dy çiftet e tjera. Dy çiftet e tjera kërcejnë siç kërcen çifti i parë, me ato gjeste dhe me ato lëvizje dhe kjo nënkupton sesi vallja trashëgohet nga brezi në brez. Në fund të valles vallëtarët formojnë një gjysmërreth dhe sillën përgjatë logut duke kërcyer dhe përfundojnë në qendër të logut të bashkuar dorë për dore.