Lepushë

Fshati Lepushë ndodhet 21 km larg Tamares dhe 10 km më në juglindje të fshatit Vermosh.

Ky fshat gjendet 1200 m mbi nivelin e detit dhe vlerёsohet si kryevepra e natyrёs sё Kelmendit. Ai shtrihet nё njё luginё tё butё tё veshur me gjelbërim, ku pranё saj ngrihen Bjeshkёt e Namuna, vendi ku lindёn legjendat dhe eposi i Kreshnikёve. Të  pasionuarit pas speleologjisë këtu mund të gjejnë mjaft shpella interesante. Shtigjet e shenjuara do ju shpien në itinerare shumë të bukura. Në Lepushë do të provoni reçelin e boronicës dhe të luleshtrydheve të pyllit, rakinë e sanzës, etj. Do të argëtoheni në festën e “Logut të Bjeshkëve”, ku do të njiheni me veshjet tradicionale, këngët e vallet e Kelmendit.

Emri i fshatit mendohet se rrjedh nga njё bimё barishtore me gjethe tё mёdha dhe lule tё verdha qё quhet Lёpushtra (Caltha palustris) e cila gjendet me shumicё nё kёtё fshat. Ky është fshati me reshjet më të mëdha të dëborës, trashësia e saj në male ka arritur deri 425 cm. Në majat e Bjeshkëve të Namuna dëbora qëndron gjatë gjithë vitit. Lugina e Lepushës është si një pistë natyrore për ski dhe ditët e shumta me dëborë e favorizojnë zhvillimin e këtij sporti.

Ky fshat dallohet për kontraste të mëdha të relievit, të cilat i japin asaj bukuri panoramike.
Në këtë fshat mbizotëron gjelbërimi. Pyjet përbëhen nga dru ahu dhe halor. Në livadhe e kullota rriten shumë lloje bimësh e lulesh. Për vlerat floristike të këtij fshati studiuesi dhe paleonteologu hungarez Franc Nopça shkruante: “Njeriu mund të besonte që gjendej në pyllin e Vjenës, sikur të mos gjendej aty maja kërcënuese e Trojanit”. Ky fshat është shumë i pasur me bimë mjekësore si: boronica, balsami, sanza, bar shpatorja, cermerdelli, dёllinja e kuqe dhe e zezё, etj. Përveç florës edhe fauna është e pasur. Vlen të përmenden Shqiponja e malit (Aquila crysaetus) dhe Shkaba (Gyps fulvus), të cilat i ndërtojnë foletë në shkëmbinjët e Bjeshkëve të Namuna dhe që i kanë dhënë emrin vendit tonë “vendi i shqiponjave”. Blloku i Shnikut, pjesë e Bjeshkëve të Namuna, i përbërë nga 17 maja mbi 2000 m sfidon alpinistët profesionist. Në këtë fshat ka disa bjeshkë të bukura siç është Bjeshka e Berizhdolit, e cila pёrbёhet nga kodra tё buta dhe cirqe akullnajore të mbuluara me bar e boronica. Gjithashtu bjeshkë e bukur është Bjeshka e Koprrishtit, në të cilën ndodhet hidromonumenti Burimet e Koprrishtit, ku uji del në kontaktin midis shkëmbinjve gëlqerorë me ata flishorë. Lepusha është shumë e pasur me burime ujore të pashtershme si dhe me shpella karstike…….

Nё qafёn e Predelecit, nga ku shihet një pamje e mrekullueshme e fshatit, zhvillohet çdo vit nё muajin gusht “Logu i Bjeshkёve”. Ky ёshtё njё konkurs ku zgjidhet mё e bukura e alpeve, e cila nuk vlerёsohet vetёm nga bukuria fizike, xhubleta më e bukur por dhe nga aftёsia e saj pёr tё kёrcyer. Kjo është një festë e gjithë Kelmendit. Festë e fshatit është festa e Festa e Zojes Ndihmëtare në muajin Maj, e cila është festë me karakter fetar.

Akomodimi këtu mund të bëhet në hotelin e vogël të fshatit ose në bujtina. Në qendrën e fshatit, në të cilën kalon rruga kryesore, gjenden bare të vegjël dhe pak dyqane rishitjesh artikuj të ndryshëm. Jo i gjithë fshati mbulohet me valë të telefonisë së lëvizshme të kompanive shqiptare.