Mikpritja

Kur je në Kelmend apo në Shkrel në pamje të parë banorët të duken disi të tërhequr në botën e tyre, të përshendesin në mënyrë korrekte pastaj ndjekin rrugën e tyre. Mirëpo kur drejtohesh për në shtëpinë e  tyre, shprehja e gëzimit në fytyrën e tyre është shumë e veçantë dhe fjalët me të cilat të presin janë: “O mirë se vjen” ose “Mirë se të ka pru zoti’, “Urdhëro”. Shtëpia konsiderohet e Zotit dhe e mikut. Ajo duhet të jetë e hapur si natën dhe ditën për këdo që mësynë në të. Pasi  hyn në shtëpi, miku gjithmonë qeraset me një gotë raki, me një filxhan kafe ose me pije joalkolike. Atij i ofrohet për të ngrënë dhe sipas kushteve ekonomike dikush ther një bagëti dhe i ofron mikut për ta respektuar kokën dhe shpatullën apo diçka të thjeshtë me moton “bukë e kripë e zemër”. Malësorët për mikun nuk kursejnë as kafshatën e fundit të fëmijëve. Në shtëpitë malësore një rëndësi e veçantë i kushtohej dhomës së mikut dhe në pamundësi të saj krijohej një kënd i posaçëm,  në të djathtë të oxhakut. Mikpritja është një zakon që i kalon caqet e traditës, ajo është futur thellë në mendësinë e banorëve. Ajo konsiderohet si një gjë e shenjtë dhe një obligim. Është një testament i vjetër i ruajtur brez pas brezi, që nga koha kur kufiri mes njerëzve, miteve e gojëdhënave është i papërcaktuar. Në kanunin e maleve një vend të posaçëm kishin nenet mbi nderin dhe detyrimet ndaj mikut. Ai që hynte në një shtëpi, vihej vetvetiu menjëherë nën mbrojtjen e saj, d.m.th. i zoti i shtëpisë mbante përgjegjësi për sigurimin dhe “nderin” e mikut deri kur ai të dilte jashtë shtëpisë ose tokës së tij. Për malësorin më vlerë kishte një mik se një çiflig, ai konsiderohej gjysëm perëndi, atij i thuhej “Urdhëro”.

“Zoti të shtoftë miqtë, fëmijët dhe bereqetin” është një nga urimet që malësorët përdorin akoma sot, që tregon më së miri rëndësinë e mikut dhe për një traditë që vazhdon të ruhet.