Selce

Fshati Selcё shtrihet në lartësinë 353-1100 m mbi nivelin e detit.

Ky fshat ndodhet 8 km në veri të qendrës së komunës Kelmend. Selca është fshati i bukurive të fshehura. Përgjatë rrugës së makinës ai duket si një fshat i varfër por nuk është kështu, ai fsheh bukuri të shumta jo vetëm natyrore. Në Selcë gjendet kanioni më i madh i Kelmendit, ujvara më e bukur, shumë shpella për t’u eksploruar, shtigje malore interesante, peisazhe shumë të bukura për t’u fotografuar, vende historike, shtëpi me arkitekturë të veçantë, punime artizanale të veçanta të lëkurës, drurit, gurit etj, etj.

Thuhet se emri i këtij fshati ёshtё trashёguar nga njё paraardhёs i banorёve qё quhej Seli.

Drejtimi kryesor i ekonomisë ёshtё blegtoria. Mes fshatit kalon lumi Cem i Selcёs. Në këtë lum, gjatë muajve Prill – Maj, mund të zhvillohet rafting për profesionistë. Gjatë rrugës së tij ky lum çan luginat e malet duke formuar kanionin e Gerrles (900 m i gjatë dhe 25 m i thellë), i cili shfaqet mes shtëpive, arrave dhe vende vende ngushtohet shumë. Ujvara e Slimës dhe sidomos Ujvara e Sllapit janë kryevepra të natyrës.

Nga veprimtaria karstike janё formuar shumё shpella si: Shpella e Pogonicёs, Shpella e Gradёs, Shpella e Rrugёs, Shpella e Vllojakut, Shpella e Pajës, Shpella e Turçinit, etj. Në Selcë, në lagjen Pepaj, si rezultat i veprimtarisë erozive në disa shkëmbinj janё “gdhendur” lloj – lloj formash të veçanta. Këto shkëmbinj njihen me emrin “Karramanet”. Gjithashtu shumё interesante janё ulluqet shkёmbore, Gërdhata e Vilёs dhe Jeshnicёs, burimet e ujit Gurra e Zanёs, ujёt e Kritё etj. Pasuri tjetёr natyrore ёshtё Bjeshka e Jeshnicёs, e cila pёrbёn njё nga qendrat mё tё mёdha blegtorale tё Alpeve perёndimore. Në Selcë gjenden monumente të veçanta natyrore si lëndina e Greçës, e mbuluar me lule shumëngjyrëshe dhe bimë mjekësore si: salepi, teukel, çaji i malit, etj. Në mes të kësaj lëndine është një tjetër monument natyre ahu i Greçës. Ky ah, gjithashtu është një vend i rëndësishëm historik për Shqipërinë pasi këtu më 1911 u mbajt Kuvendi i Përgjithshëm i Krerëve Shqiptarë, të cilët nënshkruan memorandumin me 12 pika drejtuar portёs sё lartё.

Vende tё tjera historike janё Qafa e Këstecit dhe Suka e Mkushit, ku u zhvillua beteja kundёr turqve. Malësorët janë shquar për burra trima dhe të fortë. Forcën e tyre e dëshmon më së miri një rrasë guri, e cila peshon rreth 400 kg. Ajo njihet si Rrasa e Shtjefnit, dhe ka marrë emrin e burrit, i cili e ngriti atë deri në bel.

Shtёpitё këtu janё 1-2 katёshe prej guri, me çati tё mbuluara me tjegulla tё kuqe. Karakteristikё e tyre, ndryshe nga fshatrat e tjerë, ёshtё ballkoni i gjatë, që shtrihet gjatë gjithë pjesës së përparme të shtëpisë.

Ky fshat ka lindur dhe rritur artistë të penës dhe të daltës. Mjeshtrat më të mirë të punimit të lëkurës, gdhendjes sё drurit dhe gurit gjenden këtu. Punimet e tyre frymёzohen nga bukuria femёrore, natyrore, gjithashtu kanё motive historike e fetare. Një suvenir i tillë do të ishte një kujtim i bukur nga Kelmendi.

Festa e fshatit është Zoja Rruzare, e cila festohet në datë 07 Tetor. Kjo festë festohet me shumë miq, të cilët vijnë nga Kelmendi e më larg që në datën 06 në darkë, të cilët festojnë gjatë gjithë natës, me një mikpritje të madhe siç e ka pasë dhe e ka traditë Kelmendi. Ditën e nesërme, që është dita e festës, mblidhen të gjithë bashkë miq dhe banorë për të marrë pjesë në kremtimin e meshës tek kisha e këtij fshati. Shumë interesante është kjo kishë, ku në oborrin e saj në një trung pemë të gjallë është i gdhendur trupi i Jezu Krishtit.

Në këtë fshat do të gjeni Bar-Kafe të vogla si dhe një rezervat trofte.