Instrumentat muzikor

Instrumentet muzikore tradicionale janë një nga pasuritë e rralla të kulturës shqiptare. Mjeshtëria e punimit të veglave muzikore përbën një zeje të veçantë, në zejtarinë shqiptare. Punimi i instrumenteve muzikore fillimisht bëhej vetë, nga çdo familje me mjete rrethanore si p.sh. me gjethe, me barëra, me bimë të ndryshme, me brirë, me lëkurë kafshës , me gurë, me hekur etj. Në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim shek.XX, filluan të hapen dyqanet e para të punimit të veglave muzikore.
Zanafilla e veglave muzikore fillon me lahutën, instrument mijëravjeçar kordofon me një tel, me të cilën malësorët shoqëruan këngët epike të Ciklit të Kreshnikëve.
Nëpër kullota me bagëti barinjtë kalonin kohën nën tingujt e ngrohtë të fyellit, i cili ka një përdorim shumë të hershëm dhe lidhet me jetën baritore. Malësorët këngët dhe vallet i shoqëruan gjithashtu me tingujt e ëmbël të çiftelisë. Tradita e përdorimit të këtyre instrumentave muzikor është ruajtur brez pas brezi. Çdo vit në Kelmend në eventin kulturor që zhvillohet në gusht “Logu i Bjeshkëve”, vallet dhe këngët shoqërohen me tingujt e këtyre instrumentave muzikor tradicional.

Lahuta
Është një vegël popullore me hark dhe me një kordë të përbërë prej qimeve të bishtit të kalit. Trupi i lahutës bëhet nga një copë e vetme druri (panje, arre, etj). Kasa ka trajt gjysëm sferike dhe mbulohet me lëkurë të regjur e cila mbërthehet në anët e saj me kunja druri. Harku i lahutës bëhet zakonisht nga druri i thanës, qimet lyhen me rrëshire pishe. Lahuta shpesh here është e zbukuruar me simbole kultesh të lashta si koka e dhisë, gjarpri, ose figura historike etj. Timbri i lahutës është hundor dhe përshtatet shumë mirë me përmbajtjen e këngëve epike.


Fyelli

Vegël muzikore popullore me frymë, e njohur sidomos si vegla e barinjëve. Madhësia e fyellit është 18-20 cm . Fyelli ndërtohet prej drurit të bushit, të shtogut, të panjës, të arrës, por edhe nga gypa metalike, sidomos prej tunxhi e bronzi. Fyelli përdoret kryesisht nga burrat. Repertori i fyelltarëve përbëhet nga motive të mirënjohura kengësh dhe melodi baritore, kengë lirike etj.

Çiftelia
Është vegël muzikore popullore me dy tela, që i bie me pende. Penda zakonisht nxirret nga lekura e trungut të qeshisë. Çiftelia ka tri pjesë: kupa, kapaku dhe bishti, madhësitë dhe trajtat ndryshojnë sipas krahinave. Bishti është i ndarë në 11 deri 13 perde. Zakonisht akordohet në kuart, përdoret gjithashtu edhe në sekonde, lart dhe poshtë, kuinte, unison dhe septim. Loja përqëndrohet në telin e parë, teli i dytë përdoret si mbështetje ritmike harmonike në trajtën e isos. Në repertorin e çiftelisë përfshihen kënge trimërie epike-lirike si dhe është një instrument që shoqëron vallet.